Lajmet e Fundit

SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA sponsor zyrtar i Kombëtares Shqiptare


November 7, 2016


Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, Z. Avni Ponari firmosi sot kontratën me Presidentin e FSHF-së, nëpërmjet së cilës SIGAL UNIQA zotohet të mbështesë Kombëtaren Shqiptare duke u bërë sponsor zyrtar i saj.

Duke filluar nga dita e sotme, kompania më e madhe e sigurimeve në vend, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, do të mbështesë Kombëtaren Shqiptare, duke u bërë kështu sponsor zyrtar i saj. Marrëveshja u firmos sot, nga Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë SIGAL UNIQA, Z. Avni Ponari dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Z. Armand Duka.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në praninë e mediave, Z. Ponari u shpreh: “Ndër vite ne kemi mbështetur disiplina të ndryshme të sportit në tërësi, duke filluar me futbollin, basketbollin, athletikën, alpinizmin, aeronautikën etj, por të mbështesësh Kombëtaren Shqiptare është krejt tjetër gjë. Djemtë e kombëtares janë krenaria jonë kombëtare, janë ambasadorët tanë më të mirë nëpër botë dhe ne jemi të lumtur që i mbështesim ata. Talentët kuq e zi na plotësuan ëndrrën europiane duke na kualifikuar në Euro 2016, ndaj ne ua kishim ‘borxh’ këtë suport. Me kontratën e firmosur sot me Presidentin Duka, kompania që unë drejtoj, SIGAL UNIQA angazhohet të ofrojë mbështetjen e saj për Kombëtaren Shqiptare”.

Më tej, Z. Ponari u bëri thirrje edhe kompanive të tjera që ta mbështesin sportin e në mënyrë të veçantë vuri theksin tek politikat lehtësuese fiskale që duhet të ndërmarrë shteti ndaj sportit.

“Mund ta them me plot gojën që SIGAL ka dëshmuar se mbetet jo vetëm kompania lider në sigurime, por edhe kompania lider në mbështetjen dhe zhvillimin e sportit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Unë do t’i ftoja të gjitha kompanitë e tjera, të gjitha bizneset në vend që ta mbështesin sportin, pasi aty është e ardhmja e rinisë, e ardhmja e talenteve shqiptare, të cilët duhen ndihmuar e promovuar. Nga ana tjetër, duhet që edhe shteti të luajë rolin e tij nëpërmjet politikave fiskale lehtësuese, në mënyrë që sporti në Shqipëri të marrë vendin që i takon dhe Shqipëria të garojë denjësisht në arenat ndërkombëtare. Djemtë tanë kanë bërë më të mirën e tyre, tani është radha jonë që të bëjmë detyrën tonë morale, është radha e shtetit të bëjë detyrën e tij, në mënyrë që t’i ndihmojmë talentet shqiptare të korrin sa më shumë suksese”, -tha Ponari gjatë ceremonisë së firmosjes së kontratës, ku ishin të pranishëm kryesia e FSHF-së, trajneri De Biasi dhe lojtarët e Kombëtares.

I pyetur nga mediat, Ponari bëri me dije se, së bashku me Presidentin Duka kanë firmosur edhe një tjetër kontratë, atë të sigurimit të Federatës Shqiptare të Futbollit. SIGAL UNIQA Group AUSTRIA ka marrë kështu nën mbrojtje djemtë e kombëtares dhe jo vetëm. Pjesë e kontratës, nga e cila do të përfitojnë sigurimin e shëndetit, janë edhe të gjitha ekipet e grupmoshave, të gjitha ekipet e Superligës Shqiptare si dhe i gjithë stafi i FSHF-së.

“Me këtë kontratë, ne zotohemi të marrim nën mbrojtje, duke siguruar rreth 500 lojtarë të të gjithë Federatës Shqiptare të Futbollit si dhe stafin drejtues të Federatës. Është hera e parë që sigurohet Federata Shqiptare e Futbollit dhe jemi krenarë që talentet shqiptare, përfshirë edhe kombëtaren, na u besuan ne”, -shtoi më tej Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA.

SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, përveç detyrimeve kontraktuale me klientët e saj, ka qenë gjithmonë partnere e sportit, arsimit, artit e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke mbështetur financiarisht aktivitete të ndryshme.

Ndër të tjera, SIGAL UNIQA është: Sponsor Zyrtar i Federatës Shqiptare të Basketbollit; Sponsor Zyrtar i SIGAL UNIQA Balkan League; Sponsor i Klubit të Basketbollit Valbona; Sponsor i skuadrës kampione SIGAL Prishtina; Mbështetje financiare për kampionen e atlethikës Luiza Gega; Mbështetje financiare për Aeronautikën dhe Alpinizmin Shqiptar; Mbështetje për maratonën “Run4Austism” e organizuar për të mbështetur personat të prekur nga autizmi etj.

Një vëmendje të veçantë, SIGAL UNIQA i ka kushtuar edhe kujdesit shëndetësor, duke ndërtuar të parën dhe të vetmen klinikë mjekësore lëvizëse në Shqipëri. Me një staf mjekësor profesional, në klinikën lëvizëse të SIGAL UNIQA mundësohen një shumëllojshmëri ekzaminimesh për klientët e saj dhe jo vetëm.

Klinika u promovua në skajin verior të Shqipërisë, në Valbonë dhe më pas iu drejtua Vermoshit duke ju ofruar banorëve të zonës shërbimet bazë mjekësore falas, shërbime të cilat për arsye ekonomike apo infrastrukturore banorët e kanë të vështirë ti marrin. Klinika mjekësore do të jetë prezente në çdo cep të Shqipërisë, si dhe në Kosovë e Maqedoni.

Për kontributin e dhënë në përmbushjen e përgjegjësive së saj sociale, SIGAL UNIQA u nominua nga Qeveria Shqiptare në eventin gala të sipërmarrësve më të mirë të vitit, “Bleta e Artë 2015”, për çmimin “Sipërmarrje në Kulturë”, si një ndër katër kompanitë më të mira që ka mbështetur artin dhe kulturën në vend.

SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, që prej vitit 2002 udhëheq tregun e sigurimeve me mbi 30% të tregut, në të cilin operojnë 11 kompani sigurimesh, ku kompania që renditen e dyta zotëron vetëm 13% të këtij tregu. SIGAL UNIQA, e vetmja kompani e licensuar për të gjitha klasat e sigurimit dhe me 42 produkte në treg, është pjesë e UNIQA Insurance Group, kompanisë lider në Europën Qendrore dhe Lindore në fushën e sigurimeve dhe investimeve. UNIQA numëron 7 miliardë Euro të ardhura vjetore dhe me mbi 27 miliardë Euro asete në menaxhim.

Scroll Down