Lajmet e Fundit

Sigurimet për Bujqësinë


November 7, 2016


13443105_10157054403710486_2099639734803775212_o_hcm0097865Firmoset marrëveshja ndërmjet FED Invest dhe SIGAL UNIQA Group AUSTRIA për sigurimin e fermerëve

Kryetarja e Bordit Drejtues të “FED invest” znj. Zana Konini dhe Drejtori i Përgjithshëm i “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA” z. Avni Ponari firmosën sot marrëveshjen për fillimin e projektit pilot “sigurimi i serave si konstruksion”.

Kjo marrëveshje ka për qëllim mbështetjen e prodhimit bujqësor nëpërmjet futjes dhe zhvillimit të produkteve të sigurimit në sektorin e bujqësisë. Marrëveshja në kuadrin e një projekti pilot u realizua me financimin e Shoqërisë Kursim Kredi “FED invest” dhe në bashkëpunim me SIGAL UNIQA Group AUSTRIA sh.a., e cila mori përsipër sigurimin e serave të 757 fermerëve nga i gjithë vendi.

Qëllimi i projektit është ndërgjegjësimi i fermerëve për futjen dhe zhvillimin e sigurimeve në bujqësi e blegtori, i konsideruar si instrument mbrojtës kundër dëmeve që shkaktojnë rreziqet natyrore në investimet e tyre dhe asetet e krijuara për prodhimin bujqësor. Rastet e katastrofave natyrore, të ndodhura disa herë në vit, janë shoqëruar me pasoja të rënda ekonomike për fermerët dhe blegtorët. Ky projekt pilot dhe zgjerimi i tij me një numër më të konsiderueshëm të fermerëve dhe blegtorëve mbetet një nevojë e domosdoshme për të siguruar investimet e bëra me aq mund nga fermerët e blegtorët.

Faza e parë e këtij projekti pilot është fokusuar në sigurimin e serave të prodhimit bujqësor, të ndërtuara me financim të FED Invest sh.k.k. dhe të fermerëve anëtarë të saj. Serat janë të siguruara tek SIGAL UNIQA Group AUSTRIA nga dëmet që mund të shkaktojnë rreziqet si breshëri, stuhia, shtrëngatat dhe përmbytjet. Është për tu theksuar fakti se në këtë fazë të projektit pilot, në mbështetje të drejtë-përdrejte të fermerëve në një formë të prekshme, detyrimi për pagesën e primit të sigurimit është marrë përsipër dhe është paguar nga FED Invest sh.k.k.

FED Invest dhe SIGAL UNIQA Group AUSTRIA falënderuan Ministrinë e Bujqësisë, dhe në veçanti z. Panariti, për kujdesin e veçantë të treguar për ta mbështetur iniciativën për realizimin e këtij projekti pilot si dhe për mbështetjen e ardhshme për zgjerimin e skemës së sigurimit, si për sa i përket numrit të fermerëve dhe blegtorëve, apo edhe produkteteve të siguruara. Gjithashtu është për tu vlerësuar vëmendja e Ministrisë së Bujqësisë për domosdoshmërinë e mbështetjes dhe nxitjes së mëtejshme të zgjerimit të projektit, me qëllim që gradualisht të kalohet jo vetëm në sigurimin e serave, por të shtrihet në sigurimin e pajisjeve të fermerëve dhe blegtorëve, në sigurimin e bagëtive dhe shpendëve si dhe në sigurimin e prodhimit bujqësor.

I pranishëm në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes në fshatin “Krutje” të Lushnjes, Ministri Panariti falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të SIGAL UNIQA, z. Ponari, për mbështetjen që po i jep bujqësisë, duke siguruar me dhjetëra fermerë në të gjithë Shqipërinë. Ministri e cilësoi këtë si ditë historike dhe shprehu mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë për ta zgjeruar më tepër këtë projekt.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA, z. Avni Ponari vuri theksin tek domosdoshmëria për sigurimet, në mënyrë që qytetarët në rastet e dëmeve dhe katastrofave të mos enden ndyerve të shtetit, duke humbur kështu edhe personalitetin e tyre. Z. Ponari tha se industria e sigurimeve duhet mbështetur dhe duhet të jetë më e pavarur nga instancat shtetërore.

SIGAL UNIQA Group AUSTRIA është e vetmja kompani, e cila ofron për klientët të gjitha klasat e sigurimit, me 42 produkte në treg. Duke qenë pjesë e gjigandit austriak të sigurimeve UNIQA Group, SIGAL UNIQA i ka të gjitha kapacitetet financiare për të mbuluar çdo lloj sigurimi në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, përfshirë këtu edhe katastrofat natyrore.