Zbulimi i hershëm dhe parandalimi
Kanceri i gjirit është një nga kanceret më të zakonshme që prek miliona gra çdo vit në mbarë botën dhe ka një ndikim të thellë, i cili shumë herë është edhe vdekjeprurës. Kanceri i gjirit nuk prek vetëm gjininë femërore, ky kancer zhvillohet edhe te burrat, por shumë rrallë dhe në një përqindje të vogël. Megjithatë, kur zbulohet herët, kanceri i gjirit mund të trajtohet në mënyrë efektive, duke zvogëluar rrezikun për jetë. Në këtë blog do të diskutojmë rreth rëndësisë së zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, metodave të diagnostifikimit dhe parandalimit të kësaj sëmundje.
Pse është i rëndësishëm zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit?
Zbulimi i hershëm është shumë i rëndësishëm sepse lejon ndërhyrjen në kohë përpara se kanceri të ketë një shans për t’u përhapur në trup. Ekzaminimet dhe kontrollat e rregullta çdo vit, të domosdoshme për gratë mbi moshën 40 vjeçare, janë një nga mënyrat më të sakta për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kur kanceri i gjirit zbulohet në një fazë të hershme, shanset për trajtim të suksesshëm rriten vazhdimisht. Në fakt, gratë që zbulojnë kancerin e gjirit herët kanë një shkallë mbijetese të lartë në pesë vitet e para pas diagnozës
A e dini se cilat janë simptomat apo shenjat e para të shfaqjes së kancerit të gjirit?
Ndërsa ekzaminimet e rregullta janë thelbësore, është po aq e rëndësishme të njihen simptomat ose shenjat e para paralajmëruese të kancerit të gjirit. Njohja dhe identifikimi I hershëm i ndryshimeve në trupin tuaj, mund të çojë në diagnostifikim dhe zbulim në kohë. Disa simptoma që nuk duhet t’i injoroni nëse paraqiten në trupin tuaj janë:
- Një gungë në gji ose nën sqetull
- Ndryshime në formën, madhësinë ose pamjen e gjoksit;
- Dhimbje e madhe e pashpjegueshme e gjoksit;
- Skuqje e lëkurës së gjirit ose thithkës, etj
Nëse ndonjë nga këto simptoma është e pranishme, është thelbësore që menjëherë të konsultoheni me një mjek apo profesionist për ekzaminim të mëtutjeshëm
Cilat janë metodat e diagnostifikimit me kancer të gjirit?
Ka disa metoda për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, të cilat janë të domosdoshme që të mirren parasysh që nga mosha 20 vjeçare. Këto metoda janë:
Vetë-ekzaminimet e gjirit: Megjithatë vetë-ekzaminimet nuk rekomandohen si metoda kryesore e diagnostifikimit, ato mbeten një mjet i rëndësishëm për të ditur se çfarë është ndryshime vëreni në trupin tuaj. Vajzat dhe gratë duhet vazhdimisht të kryejnë vetë-ekzaminime çdo muaj për të zbuluar ndonjë ndryshim të pazakontë në gjoksin e tyre, të tilla si gunga, gropëzime apo dhimbje të vazhdueshme.
Mamografia: Një mamografi është një rreze X, e cila mund të zbulojë edhe tumore shumë të vogla në trup. Është një nga mënyrat më efektive për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Rekomandohet që gratë e moshës 40 vjeç e më lart të bëjnë mamografi vjetore, megjithëse nëse vëreni diçka të pazakontë në gjirin tuaj, ju rekomandojmë që të filloni mamografinë ende më herët.
Ekzaminimet tjera klinike: Këto janë ekzaminime të kryera nga mjekë profesionistë, zakonisht gjatë kontrolleve rutinë. Gjatë ekzaminimit, mjeku mund të ndjejë ndonjë gungë ose parregullsi në indin e gjirit, të cilat rezultojnë me diagnostifikimet e duhura. Pas diagnostifikimit, terapi si kirurgjia, radioterapia, kimioterapia dhe terapia e synuar me ilaçe përdoren në trajtimin e kancerit të gjirit.
Çfarë masa parandaluese mund të ndërmarrim?
Ndërsa disa faktorë si mosha dhe gjenetika e kancerit në familje nuk mund të kontrollohen, ka disa ndryshime në stilin e jetës që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të zhvillimit të kancerit të gjirit. Po ndajmë me ju disa këshilla të rëndësishme:
Aktiviteti i rregullt fizik dhe ushqyerja e shëndetshme ka treguar se ul rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit duke ndihmuar në ruajtjen e një peshe të shëndetshme, reduktimin e inflamacionit dhe përmirësimin e mirëqenies personale.
Alkooli rrit nivelet e estrogjenit dhe hormoneve të tjera të lidhura me kancerin e gjirit. Kufizimi i marrjes së alkoolit mund të ndihmojë në minimizimin e këtij rreziku.
Pirja e duhanit është e lidhur me shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e gjirit. Lënia e duhanit jo vetëm që ul rrezikun e kancerit të gjirit, por gjithashtu përmirëson shëndetin e përgjithshëm dhe jetëgjatësinë.
Kanceri i gjirit është një sëmundje serioze, por me zbulimin e hershëm, është e mundur të reduktohen rreziqet dhe të përmirësohen rezultatet. Ekzaminimet dhe kontrollet e rregullta, së bashku me një mënyrë jetese të shëndetshme, janë hapa thelbësorë në zbulimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje. Në tetorin rozë, gjeni kohë për t’i dhënë përparësi shëndetit tuaj dhe për të inkurajuar njerëzit tjerë që të bëjnë ekzaminime, kontrolla dhe mamografi. Ne qëndrojmë pranë jush edhe përmes sigurimit të shëndetit dhe trajtimit të kësaj sëmundje