Siguria rrugore nuk është vetëm një grup rregullash që duhet të respektojmë sepse jemi të detyruar nga ligji, por edhe një përgjegjësi që ne të gjithë e ndajmë kur jemi në rrugë. Në Kosovë, aksidentetrrugore janë të shpeshta dhe një ndër shkaqet kryesore të lëndimeve dhe rasteve me fatalitet, shumë prej të cilave mund të parandalohen duke adoptuar zakone më të sigurta të vozitjes. Ndërsa ne shpesh fokusohemi në sjelljen e drejtuesve të tjerë, mënyra më e mirë për të qëndruar të sigurt në rrugë është të fillojmë nga vetja që të largojmë disa zakone në rrugë. Në këtë blog, ne do të tregojmë shtatë zakone të këqija të drejtimit të automjetit që rrezikojnë jetën tuaj dhe të tjerëve në rrugë.
1. Shpejtësia
Një nga zakonet më të rrezikshme të vozitjes është shpejtësia. Shpeshherë, kur jemi vonë për punë ose kemi ndonjë plan me shoqëri, tejkalojmë kufirin e shpejtësisë, i cili mund të na kursejë disa minuta nga vonesa, por rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve. Në Kosovë, shpejtësia është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, veçanërisht në zonat urbane.
Pse është e rrezikshme dhe si të hiqni dorë nga ky zakon?
Me shpejtësi të lartë, koha e nevojshme për të reaguar ndaj rrezikut zvogëlohet, duke e rritur gjasën që të ndodh aksidenti. Në rast aksidenti, shpejtësia rrit forcën e përplasjes me automjetin apo këmbësorin, duke e çuar në lëndime të rënda ose fatalitet.
Mënyra më e mirë se si të hiqni dorë nga ky zakon është planifikimi i udhëtimeve tuaj me kohë shtesë në mënyrë që të mos të nxitoni. Gjithashtu, shpejtësia nuk është kënaqësi në rrugë, prandaj duhet të keni parasysh se një veprim i juaji i pamenduar mund të sjellë fatkeqësi në rrugë.
2. Rripi i sigurimit
Shumë shoferë dhe pasagjerë neglizhojnë të vendosin rripat e sigurimit, veçanërisht në udhëtime të shkurtra brenda zonave urbane. Në Kosovë, përdorimi i rripit të sigurimit është i ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane.
Pse është e rrezikshme dhe si të hiqni dorë nga ky zakon?
Rripat e sigurimit zvogëlojnë rrezikun e vdekjes në një aksident për shoferin dhe të gjithë pasagjerët në automjet. Mosvendosja e rripit të sigurimit mund të rezultojë në gjoba të rënda dhe në marrjen e lejes nga organet kompetente. Bëjeni rregull që të gjithë në automjetin tuaj duhet të vendosin rripin e sigurimit përpara se të filloni të drejtoni automjetin. Është një veprim i vogël që mund të bëjë një ndryshim të madh.
3. Përdorimi i telefonit gjatë vozitjes
Telefoni dhe pajisjet digjitale janë kthyer në një shpërqendrim të madh në vozitje. Sipas hulumtimeve të bëra, biseda në telefon apo dërgimi i mesazheve gjatë drejtimit të automjetit janë shumë i rrezikshme pasi që largon vëmendjen nga rruga.
Pse është e rrezikshme dhe si të hiqni dorë nga ky zakon
Largimi i vëmendjes nga rruga për vetëm disa sekonda mund të jetë i rrezikshëm dhe fatal në rrugë. Truri juaj përpiqet të kryejë shumë detyra gjatë vozitjes, që do të thotë se edhe një vështrim i shpejtë në telefonin tuaj mund të rezultojë në humbjen e detajeve në rrugë. Vendosni telefonin në modalitetin “Airplane Mode” gjatë drejtimit të automjetit. Nëse është urgjente, ndaluni në një vend të sigurt përpara se të kontrolloni telefonin tuaj.
4. Vozitja nën ndikimin e alkoolit
Vozitja nën ndikimin e alkoolit nuk është thjesht e paligjshme, por është edhe jashtëzakonisht e rrezikshme.
Pse është e rrezikshme dhe si të hiqni dorë nga ky zakon?
Edhe sasitë më të vogla të alkoolit në trupin tuaj mund të ndikojnë në kohën tuaj të reagimit dhe veprimit, prandaj shancet për aksidente rriten më shumë se zakonisht.
Nëse po planifikoni të pini një gotë verë me shoqëri apo familje, caktoni një shofer personal, përdorni një taksi ose qëndroni diku të sigurt gjatë natës. Asnjëherë mos vozitni nëse keni konsumuar alkool!
5. Respektimi i dritave të semaforit
Ndezja e dritës së kuqe dhe drejtimi i automjetit në të kuqen për të kursyer disa sekonda mund të ketë pasoja fatale. Është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në kryqëzim, duke rezultuar në lëndime të rënda apo edhe në vdekje.
Pse është e rrezikshme dhe si të hiqni dorë nga ky zakon?
Përplasjet në kryqëzime ndodhin shpesh për shkak të mosrespektimit të semaforit apo edhe shpejtësisë së lartë për të kursyer kohë në pritjen e semaforit.
Ky veprim është edhe i ndalueshëm me ligj, prandaj respektoni semaforin dhe përgatituni të ndaloni. Mos harroni, është më mirë të prisni disa sekonda sesa të rrezikoni jetën tuaj dhe të tjerëve në rrugë.
6. Mbani distancë nga automjeti tjetër
Hapësira e afërt mes automjeteve nuk është vetëm e bezdisshme, por edhe e rrezikshme. Mos mbajtja e distancës së duhur nga automjeti tjetër zvogëlon hapësirën e nevojshme për të reaguar nëse automjeti përpara ndalon papritur.
Pse është e rrezikshme dhe si të hiqni dorë nga ky zakon?
Mos mbajtja e distancës është një nga shkaqet kryesore të përplasjeve nga ana e pasme, veçanërisht gjatë trafikut në zonat urbane. Ju këshillojmë që të mbani një distancë të sigurt prej të paktën tre sekondash pas automjetit para jush. Ndërsa në mot të keq, ju këshillojmë që ta rrisni më shumë distancën tuaj.
7. Mospërdorimi i sinjaleve/treguesve
Përdorimi i sinjaleve mund të duket si një detaj i vogël në automjet, por është thelbësor për sigurinë rrugore. Shumë shoferë nuk arrijnë të tregojnë para se të ndryshojnë korsinë, gjë që i ngatërron drejtuesit e tjerë dhe mund të çojë në aksidente.
Pse është e rrezikshme dhe si të hiqni dorë nga ky zakon?
Drejtuesit e tjerë duhet të parashikojnë lëvizjet tuaja, veçanërisht në kryqëzimet e ngarkuara ose autostrada. Mospërdorimi i treguesve tuaj mund të rezultojë edhe në gjoba nga policia. Bëjeni qëllim që gjithmonë të sinjalizoni veprimet tuaja me automjet, edhe kur nuk ka automjete tjera afër jush.
Përmirësimi i sigurisë rrugore fillon kur secili prej nesh bën një përpjekje të vetëdijshme për të vozitur me më shumë përgjegjësi. Thyerja e këtyre zakoneve të këqija jo vetëm që ju mbron, por mbron të gjithë në rrugë. Në SIGAL UNIQA, ne besojmë se çdo jetë është e çmuar, prandaj jemi të përkushtuar
për të rritur ndërgjegjësimin për sigurinë rrugore.